Secondary Adv

Pasaportat dhe kartat e identitetit më lirë nga 1 janari 2027, kush përfiton dhe sa ulen tarifat

Nga 1 janari 2027 ulen tarifat e dokumenteve të identifikimit për fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç.

Nga 1 janari 2027, fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç do të paguajnë më pak për pajisjen me dokumente identifikimi. Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka firmosur urdhrin që parashikon uljen e tarifave për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit për këto kategori, me synimin për të lehtësuar kostot financiare të qytetarëve.


Sa ulen tarifat e pasaportave dhe kartave të identitetit?

Sipas tarifave të reja, për fëmijët nën 16 vjeç, pasaporta biometrike do të kushtojë 6,000 lekë, nga 7,500 lekë aktualisht. Kjo përfaqëson një ulje prej 1,500 lekësh, ose 20 për qind të tarifës ekzistuese.


Për personat me aftësi të kufizuara, tarifa e kartës së identitetit do të reduktohet nga 1,500 në 1,000 lekë, duke sjellë një kursim prej 500 lekësh, ose 33.3 për qind. Për këtë kategori, edhe pasaporta biometrike do të kushtojë 6,000 lekë.


Ndërkohë, qytetarët mbi 65 vjeç do të përfitojnë ulje të tarifës së kartës së identitetit nga 1,500 në 1,000 lekë, ose 500 lekë më pak për çdo dokument.


Masa pritet të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e shpenzimeve për pajisjen dhe rinovimin e dokumenteve të identifikimit, veçanërisht për familjet me fëmijë dhe kategoritë që përfitojnë nga lehtësimet e parashikuara.


Demo: Qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e cilësoi firmosjen e urdhrit si përmbushje të një angazhimi të marrë publikisht më 2 tetor, duke theksuar se reduktimi i kostove duhet të shoqërohet edhe me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.


“Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë!”, deklaroi Demo.


Sipas ministrit, ulja e tarifave është pjesë e një angazhimi më të gjerë për reduktimin e burokracive, shkurtimin e kohës së pritjes dhe përmirësimin e marrëdhënies së institucioneve me qytetarët.


“Nuk mund t’i kërkojmë qytetarit të kuptojë vështirësitë e institucionit, nëse institucioni nuk kupton vështirësitë e qytetarit. Më pak kosto, më pak pritje dhe më shumë respekt për qytetarin!”, u shpreh ai.


Ministri garantoi se do të ndjekë personalisht zbatimin e vendimit, ndërsa tarifat e reduktuara do të fillojnë të aplikohen nga data 1 janar 2027.

Ndryshimi përbën një lehtësim të drejtpërdrejtë financiar për kategoritë përfituese, ndërsa sfida mbetet që ulja e kostove të shoqërohet me procedura më të shpejta dhe shërbime më cilësore për qytetarët.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat